Bashkimi Evropian edhe një herë ka përsëritur thirrjen ndaj Kosovës dhe Serbisë që në ditët në vijim të përmbahen nga veprimet, të cilat mund të çojnë deri te përshkallëzimi i situatës dhe se blloku evropian me partnerët po vazhdon intensivisht punën për të gjetur një zgjidhje për çështjen e targave.
Kështu deklaroi për mediat Peter Stano, zëdhënës i BE-së për çështje të jashtme dhe të sigurisë.
“Disa herë në të kaluarën kemi thënë se është me rëndësi të jashtëzakonshme që të parandalohet çfarëdo tensionimi, i cili mund të çojë deri te përshkallëzimi i situatës. Ajo për të cilën më së paku kanë nevojë Serbia e Kosova në këtë moment është të ketë më shumë tensione. Ato kanë nevojë për më shumë progres në mënyrë që ta çojnë dialogun përpara. Siç kemi thënë, [ato] duhet të punojnë drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse në dialog për normalizimin e raporteve. Ne po punojmë me partnerët tanë, jo vetëm ne si BE, por edhe partnerët tjerë, si dhe me autoritetet e Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të parandalohet çfarëdo shkëndije e përshkallëzimit të situatës”, tha Stano më 27 tetor.
Ky qëndrim i BE-së vjen disa orë pasi nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – dhe Serbia paralajmëruan për vendosjen e barrikadave, nëse Kosova, pas 31 tetorit do të konfiskojë targat apo makinat e serbëve.
Qeveria e Kosovës ka thënë se nga 1 shtatori deri më 31 tetor, qytetarët serbë që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia – që Prishtina i konsideron ilegale – duhet ‘i konvertojnë në RKS- Republika e Kosovës.
Pas 31 tetorit, Kosova ka deklaruar se këto makina – që vlerësohet se janë afër 10.000 – nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e shtetit, e as të kalojnë kufirin.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha më 27 tetor se kur bëhet fjalë për targat, Kosova po respekton ligjin dhe Sebia po kërcënon me mjete antiligjore.