Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka shpallur gazetaren ruse, Daria Aslamova si person të padëshirueshëm.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se Aslamovas i është ndaluar hyrja në Kosovë për pesë vjet.
“Kushdo që me qëllime apo direktiva të caktuara, cenon apo tenton të destabilizojë vendin tonë, do të përballet pa diskutim me forcën e ligjeve të Republikës së Kosovës”, ka thënë mes tjerash Sveçla.
Daria Aslamova është arrestuar nga Policia e Kosovës në veri të vendit më 6 gusht.
Duke bërë të ditur arrestimin e saj, Sveçla ka thënë se “shumë shtete e kanë vërtetuar se ajo ka qenë e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ka vepruar në petkun e gazetares”.
“E njëjta ka marrë pjesë edhe në luftimet në Ukrainë duke propaganduar mbi pushtimin rus ndaj Ukrainës”.